Fjalët e Urta 1:5-22 Bibla Shqip (ALBB)

5. I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,

6. për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.

7. Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

8. Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate,

9. sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.

10. Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,

11. në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajshmit pa ndonjë shkak;

12. le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;

13. ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka;

14. ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";

15. biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,

16. sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.

17. Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;

18. por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.

19. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.

20. Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;

21. ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

22. "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

Fjalët e Urta 1