Ezekieli 48:8-22 Bibla Shqip (ALBB)

8. Në kufirin e Judës, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor, do të jetë pjesa e vendit që do ta ofroni si dhuratë, e gjerë njëzet e pesë mijë kubitë dhe e gjatë sa pjesët e tjera, nga kufiri lindor deri në kufirin perëndimor; në mes të saj do të jetë shenjtërorja.

9. Pjesa që do t'i ofroni si dhuratë Zotit do të ketë një gjatësi prej njëzet e pesë mijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetë mijë kubitë.

10. Kjo pjesë e shenjtë do t'u përkasë priftërinjve; njëzet e pesë mijë kubitë gjatësi në veri, dhjetë mijë gjerësi në perëndim, dhjetë mijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesë mijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit.

11. Ajo do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi levitët.

12. Pjesa që do t'u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të levitëve.

13. Përballë territorit të priftërinjve, levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesë mijë kubitë gjatësi dhe dhjetë mijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kubitë dhe gjerësia dhjetë mijë.

14. Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.

15. Pesë mijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten nga njëzet e pesë mijët, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes.

16. Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind.

17. Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim.

18. Kusuri i gjatësisë, gjatë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, do të jetë dhjetë mijë kubitë në lindje dhe dhjetë mijë në perëndim; ajo do të jetë pranë pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë, dhe prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punonjësit e qytetit.

19. Punonjësit e qytetit, që do ta punojnë, do të vijnë nga të gjitha fiset e Izraelit.

20. Gjithë pjesa e ofruar si dhuratë do të jetë njëzet e pesë mijë kubitë për njëzet e pesë mijë, një katror i përsosur. Ju do të ofroni, si zotërim të qytetit, pjesën e shenjtë të ofruar si dhuratë.

21. Kusuri do të jetë i princit; nga njëra anë dhe nga ana tjetër e pjesës së shenjtë të ofruar si dhuratë dhe të zotërimit të qytetit, ballë njëzet e pesë mijë kubitëve të pjesës së ofruar si dhuratë deri në kufirin lindor, dhe në perëndim ballë njëzet e pesë mijë kubitëve në drejtim të kufirit perëndimor përbri pjesëve të fiseve; kjo do të jetë e princit; pjesa e shenjtë e ofruar si dhuratë dhe shenjtërorja do të jenë në mes.

22. Kështu, duke përjashtuar zotërimin e levitëve dhe zotërimin e qytetit që gjenden në mes të asaj që i përket princit, sipërfaqja midis kufirit të Judës dhe kufirit të Beniaminit do t'i përkasë princit.

Ezekieli 48