Ester 9:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Muajin e dymbëdhjetë, që është muaji i adarit, ditën e trembëdhjetë të muajit, kur duhet të zbatoheshin urdhri dhe dekreti i mbretit, dita në të cilën armiqtë e judenjve shpresonin të sundonin mbi ta, situata u përmbys krejt dhe judenjtë sunduan mbi armiqtë e tyre.

2. Judenjtë u mblodhën në qytetet e tyre, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero, për të shtrirë dorën kundër atyre që kërkonin t'u bënin keq; dhe askush nuk mundi t'u rezistonte atyre, sepse tmerri i judenjve i kishte zënë tërë popujt.

3. Tërë krerët e krahinave, satrapët, qeveritarët dhe ata që merreshin me punët e mbretit i përkrahën judenjtë, sepse tmerri i Mardokeut i kishte zënë.

4. Në fakt Mardokeu ishte i madh në pallatin e mbretit, dhe fama e tij përhapej në të gjitha krahinat, sepse ky njeri, Mardokeu, bëhej gjithnjë më i madh.

5. Kështu judenjtë goditën tërë armiqtë e tyre, duke i kaluar në tehun e shpatës dhe duke kryer një kërdi dhe një shkatërrim të madh; u sollën si deshën me armiqtë e tyre.

6. Në qytetin e Suzas judenjtë vranë dhe shfarosën pesëqind njerëz;

7. vranë edhe Parshandathan, Dalfonin, Aspathan,

8. Porathan, Adalian, Aridathan,

9. Parmashtan, Arisain, Aridain dhe Vajezathan,

10. dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamedathas, armiku i judenjve, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

11. Po atë ditë numri i atyre që ishin vrarë në qytetin e Suzas iu njoftua mbretit.

12. Mbreti i tha atëherë mbretëreshës Ester: "Në qytetin e Suzas judenjte kanë vrarë dhe shfarosur pesëqind njerëz dhe dhjetë bij të Hamanit; çfarë kanë bërë vallë në krahinat e tjera të mbretit? Tani cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë tjetër kërkon? Do të bëhet".

13. Atëherë Esteri tha: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të lejohen judenjtë që janë në Suza të bëjnë edhe nesër atë që është dekretuar për sot; dhe të varen në trekëmbësh të dhjetë bijtë e Hamanit".

14. Mbreti urdhëroi që të veprohej pikërisht kështu. Dekreti u nxor në Suza dhe dhjetë bijtë e Hamanit u varën në trekëmbësh.

15. Judenjtë që ishin në Suza u mblodhën edhe ditën e katërmbëdhjetë të muajit të adarit dhe vranë në Suza treqind njerëz; por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

16. Edhe judenjtë e tjerë që ishin në krahinat e mbretit u mblodhën, për të mbrojtur jetën e tyre dhe për të qenë të sigurt nga sulmet e armiqve të tyre; vranë shtatëdhjetë e pesë mijë nga ata që i urrenin, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

Ester 9