10. Esteri nuk kishte treguar asgjë as për popullin e saj as për vendin e prejardhjes së saj, sepse Mardokeu e kishte urdhëruar të mos tregonte.
11. Çdo ditë Mardokeu shëtiste përpara oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Esteri dhe ç'po bëhej me të.
12. Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t'u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t'u pastruar,
13. vajza shkonte te mbreti; i lejohej të merrte me vete nga shtëpia e grave në pallatin e mbretit tërë ato që donte.
14. Atje ajo shkonte në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kalonte në shtëpinë e dytë të grave, nën mbikëqyrjen e Shaashgazit, eunukut të mbretit dhe rojtar i konkubinave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, veçse po ta kërkonte mbreti dhe ta thërrisnin me emër.
15. Kur i erdhi radha për të shkuar te mbreti Esterit, bijës së Abihailit, ungji i Mardokeut, që e kishte marrë me vete si bijën e tij, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i tregoi Hegai, eunuku i mbretit, rojtari i grave. Dhe Esteri fitoi simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.
16. Esterin e çuan te mbreti Asuero në pallatin e tij mbretëror muajin e dhjetë, domethënë në muajin e tebethit, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij.
17. Mbreti e dashuroi Esterin më tepër se gjithë gratë e tjera, dhe ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e tij më tepër se tërë vajzat e tjera. Kështu ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.
18. Pastaj mbreti shtroi një banket të madh për tërë princat dhe shërbëtorët e tij, banketin e Esterit; përveç kësaj ai u dha një ditë pushimi krahinave dhe bëri dhurata me bujari mbretërore.
19. Kur vajzat u mblodhën herën e dytë, Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit.
20. Esteri, sipas urdhrit që Mardokeu i kishte dhënë, nuk kishte treguar asgjë as për vendin e prejardhjes së saj, as për popullin e saj. Në të vërtetë Esteri zbatonte urdhrat e Mardokeut, ashtu si në kohën kur ishte nën kujdestarinë e tij.
21. Në ato ditë, ndërsa Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit, Bigtani dhe Tereshi, dy eunukë të mbretit dhe rojtarë të pragut, u zemëruan dhe kërkuan të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.
22. I njoftuar për këtë gjë, Mardokeu lajmëroi mbretëreshën Ester, dhe Esteri informoi mbretin në emër të Mardokeut.
23. U bënë hetime dhe u provua se gjëja ishte e vërtetë, të dy eunukët u varën në trekëmbësh; pastaj kjo ngjarje u regjistrua në librin e Kronikave, në prani të mbretit.