28. Pastaj u thashë atyre: "Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.
29. Kini kujdes dhe ruajini derisa t'i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit".
30. Kështu priftërinjtë dhe levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t'i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.
31. Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.
32. Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.
33. Ditën e katërt në shtëpinë e Perëndisë tonë, u peshuan argjendi, ari dhe veglat në duart e Meremothit, birit të priftit Uriah, me të cilin ishte Eleazari, bir i Finehasit, dhe me ta levitët Jozabad, bir i Jeshuas, dhe Noadiahu, bir i Binuit.
34. U numërua dhe u peshua çdo gjë; dhe pesha e të gjitha gjërave u vu me shkrim.
35. Të mërguarit që u kthyen nga robëria, i ofruan si holokauste Perëndisë të Izraelit dymbëdhjetë dema për tërë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si flijim për mëkatin, e tërë kjo si holokaust për Zotin.
36. Pastaj ua dorëzuan dekretet e mbretit satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës matanë Lumit, dhe këta ndihmuan popullin dhe shtëpinë e Perëndisë.