Eksodi 31:14-18 Bibla Shqip (ALBB)

14. Do të respektoni, pra, të shtunën, sepse është për ju një ditë e shenjtë; kush e përdhos atë, do të dënohet me vdekje; kushdo që bën atë ditë ndonjë punë, do të shfaroset nga gjiri i popullit të tij.

15. Do të punohet gjashtë ditë; por dita e shtatë është e shtuna e pushimit, e shenjtë për Zotin; kushdo që do të bëjë ndonjë punë ditën e shtunë do të dënohet me vdekje.

16. Andaj bijtë e Izraelit do ta respektojnë të shtunën, duke e kremtuar atë brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme.

17. Ajo është një shenjë e përjetshme midis meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u çlodh".

18. Kur Zoti mbaroi së foluri me Moisiun në malin Sinai, i dha dy pllaka të dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë.

Eksodi 31