Eksodi 29:18-27 Bibla Shqip (ALBB)

18. Pastaj do ta tymosësh tërë dashin mbi altar: ky është një holokaust për Zotin; është një erë e këndshme, një flijim i bërë me anë të zjarrit për Zotin.

19. Pastaj do të marrësh dashin tjetër, dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.

20. Do ta therësh dashin, do të marrësh prej gjakut të tij dhe do ta vësh mbi bulën e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi bulën e veshit të djathtë të bijve të tij, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e trashë të këmbës së tyre të djathtë, dhe do ta spërkatësh gjakun rreth e qark altarit.

21. Do të marrësh pastaj nga gjaku që është mbi altar dhe nga vaji i vajosjes dhe do të spërkatësh Aaronin dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre. Kështu do të shenjtërohet ai dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre bashkë me të.

22. Do të marrësh edhe dhjamin e dashit, dhjamin e bishtit, dhjamin që mbulon zorrët, bulën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to dhe kofshën e djathtë, (sepse është një dash shenjtërimi);

23. do të marrësh edhe një bukë, një ëmbëlsirë me vaj dhe një revani nga shporta e bukës së ndorme, që është para Zotit,

24. dhe të gjitha këto gjëra do t'i vësh në duart e Aaronit dhe në duart e bijve të tij, dhe do t'i tundësh si një ofertë e bërë përpara Zotit.

25. Pastaj do t'i marrësh nga duart e tyre dhe do t'i tymosësh mbi altarin, mbi holokaustin, si një erë e këndshme përpara Zotit; është një flijim i bërë me anë të zjarrit Zotit.

26. Pas kësaj do të marrësh gjoksin e dashit të përdorur për shugurimin e Aaronit dhe do ta tundësh si një ofertë e lëvizur përpara Zotit; dhe kjo do të jetë pjesa e jote.

27. Dhe nga dashi i përdorur për shenjtërim do të ruash gjoksin e ofertës së lëvizur dhe kofshën e ofertës së ngritur, që u takojnë Aaronit dhe bijve të tij.

Eksodi 29