9. Joabi i tha Amasas: "A je mirë, vëllai im?". Pastaj Joabi me dorën e djathtë e kapi Amasan nga mjekra për ta puthur.
10. Amasa nuk vuri re shpatën që Joabi kishte në dorën tjetër; me të ai e goditi në bark dhe të përbrendshmet e barkut u përhapën për tokë pa e goditur për së dyti, dhe ai vdiq. Pastaj Joabi dhe i vëllai Abishai filluan të ndiqnin Sheban, birin e Bikrit.
11. Ndërkaq njeri prej të rinjve të Joabit kishte mbetur pranë Amasas dhe thoshte: "Kush e do Joabin dhe kush është për Davidin le të shkojnë pas Joabit!".
12. Por Amasa po përpëlitej në gjak, në mes të rrugës. Kur ai njeri vuri re që tërë populli po ndalej, e tërhoqi zvarrë Amasan jashtë rrugës në një fushë dhe i hodhi sipër një mantel, sepse të gjithë ata që i afroheshin ndaleshin.