7. Filluan t'i bëjnë grumbujt në muajin e tretë dhe e përfunduan këtë punë në muajin e shtatë.
8. Kur Ezekia dhe krerët erdhën për të parë grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij të Izraelit.
9. Pastaj Ezekia pyeti priftërinjtë dhe levitët për grumbujt;
10. kryeprifti Azariah, nga shtëpia e Tsadokut, iu përgjigj: "Që kur filloi prurja e ofertave në shtëpinë e Zotit, kemi ngrënë sa jemi ngopur dhe kanë mbetur gjëra me shumicë, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo është sasia e madhe që ka tepruar".
11. Atëherë Ezekia i urdhëroi ata të përgatisnin disa dhoma në shtëpinë e Zotit. Ata i përgatitën,
12. dhe sollën aty me besnikëri ofertat, të dhjetën dhe gjërat e shenjtëruara. Levitit Konaniah iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i vëllai, Shimei.