1 i Samuelit 17:48-58 Bibla Shqip (ALBB)

48. Kur filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë filisteut;

49. vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.

50. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.

51. Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur filistenjtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.

52. Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën filistenjtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistenjtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.

53. Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e filistenjve, plaçkitën kampin e tyre.

54. Pas kësaj Davidi mori kokën e filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.

55. Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: "Abner, bir i kujt është ky i ri?". Abneri iu përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di".

56. Atëherë mbreti tha: "Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi".

57. Kur Davidi u kthye nga vrasja e filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përpara Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e filisteut.

58. Sauli i tha: "O i ri, bir i kujt je?". Davidi u përgjigj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai".

1 i Samuelit 17