1 i Samuelit 16:11-20 Bibla Shqip (ALBB)

11. Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu".

12. Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është".

13. Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.

14. Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frymë e keqe e terrorizonte nga ana e Zotit.

15. Shërbëtorët e Saulit i thanë "Ja, një frymë e keqe të shqetëson nga ana e Perëndisë.

16. Zoti ynë të urdhërojë, pra, që shërbëtorët e tu që rrinë përpara teje të gjejnë një njeri që i bie mirë harpës; kur pastaj fryma e keq nga ana e Perëndisë do të të zotërojë, ai do t'i bjerë harpës dhe ti do ta ndjesh veten mirë".

17. Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një njeri që i bie mirë dhe ma sillni".

18. Atëherë një nga shërbëtorët filloi të thotë: Ja, unë pashë një nga bijtë e Isait, Betlemitit, që i bie mirë dhe që është një njeri i fortë dhe trim, i shkathët në luftim, gojëtar i hijshëm; dhe Zoti është me të".

19. Sauli, pra, i dërgoi lajmëtarë Isait për t'i thënë: "Më dërgo birin tënd Davidin, që është me kopenë".

20. Atëherë Isai mori një gomar të ngarkuar me bukë, një calik me verë, një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të tij.

1 i Samuelit 16