19. Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e filistenjve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: "Hiqe dorën tënde!".
20. Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.
21. Vetë hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me filistenjtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.
22. Po kështu tërë izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që filistenjtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t'i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.
23. Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.
24. Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi".
25. Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.
26. Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.
27. Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.
28. Njëri nga populli mori fjalën dhe tha: "Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: "Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot", megjithëse populli ishte i rraskapitur".
29. Atëherë Jonathani tha: "Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.