1 i Mbretërve 8:17-24 Bibla Shqip (ALBB)

17. Por Davidi, ati im, e kishte në zemër të ndërtonte një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit;

18. por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, dhe bëre mirë të kesh një gjë të tillë në zemër;

19. por nuk do të jesh ti që do të ndërtosh tempullin, do të jetë përkundrazi biri yt që do të dalë nga barku yt; do të jetë ai që do të ndërtojë tempullin në emrin tim".

20. Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte thënë; dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim, u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte thënë Zoti, dhe ndërtova tempullin në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit.

21. Atje kam përgatitur një vend për arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai lidhi me etërit tanë kur i nxori nga vendi i Egjiptit".

22. Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit

23. dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.

24. Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.

1 i Mbretërve 8