1 i Mbretërve 2:9-23 Bibla Shqip (ALBB)

9. Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol".

10. Kështu Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit.

11. Davidi mbretëroi mbi Izrael dyzet vjet, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.

12. Pastaj Salomoni u ul mbi fronin e Davidit, atit të tij, dhe mbretëria e tij u vendos në mënyrë të qëndrueshme.

13. Adonijahu, bir i Hagithit, shkoi te Bath-Sheba, nëna e Salomonit. Kjo i tha: "A vjen me qëllime paqësore?". Ai u përgjigj: "Po, paqësore".

14. Pastaj shtoi: "Kam diçka për të të thënë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".

15. Kështu ai tha: "Ti e di që mbretëria më takonte mua dhe që tërë Izraeli priste që unë të mbretëroja. Por mbretëria m'u hoq dhe kaloi në duart e vëllait tim, sepse atij ia dha Zoti.

16. Tani do të të bëj një kërkesë, mos ma hidh poshtë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".

17. Atëherë ai tha: "Të lutem, thuaji mbretit Salomon, i cili nuk të refuzon asgjë, që të më japë për grua shunamiten Abishag".

18. Bath-Sheba iu përgjigj: "Mirë! Do t'i flas mbretit në favorin tënd".

19. Bath-Sheba shkoi, pra, te mbreti Salomon për t'i folur në favor të Adonijahut. Mbreti u ngrit për t'i dalë përpara, u përul përpara saj, pastaj u ul në fronin e tij dhe urdhëroi që të vinin një fron tjetër për nënën e mbretit, dhe ajo u ul në të djathtë të tij.

20. Ajo tha: "Kam një kërkesë të vogël, mos ma refuzo". Mbreti iu përgjigj: "Bëje, pra, kërkesën tënde, o nëna ime; unë nuk do ta refuzoj".

21. Atëherë ajo i tha: "Shunamitja Abishag t'i jepet si grua vëllait tënd Adonijah".

22. Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së tij, duke i thënë: "Pse kërkon shunamiten Abishag për Adonijahun? Kërko për të edhe mbretërinë, sepse ai është vëllai im madhor; kërkoje për të, për priftin Abiathar dhe për Joabin, birin e Tserujahut!".

23. Atëherë mbreti Salomon u betua në emër të Zotit, duke thënë: "Perëndia ma bëftë këtë edhe më keq në rast se Adonijahu nuk e ka thënë këtë fjalë duke vënë në rrezik jetën e tij!

1 i Mbretërve 2