12. Pastaj Salomoni u ul mbi fronin e Davidit, atit të tij, dhe mbretëria e tij u vendos në mënyrë të qëndrueshme.
13. Adonijahu, bir i Hagithit, shkoi te Bath-Sheba, nëna e Salomonit. Kjo i tha: "A vjen me qëllime paqësore?". Ai u përgjigj: "Po, paqësore".
14. Pastaj shtoi: "Kam diçka për të të thënë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".
15. Kështu ai tha: "Ti e di që mbretëria më takonte mua dhe që tërë Izraeli priste që unë të mbretëroja. Por mbretëria m'u hoq dhe kaloi në duart e vëllait tim, sepse atij ia dha Zoti.
16. Tani do të të bëj një kërkesë, mos ma hidh poshtë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".
17. Atëherë ai tha: "Të lutem, thuaji mbretit Salomon, i cili nuk të refuzon asgjë, që të më japë për grua shunamiten Abishag".
18. Bath-Sheba iu përgjigj: "Mirë! Do t'i flas mbretit në favorin tënd".
19. Bath-Sheba shkoi, pra, te mbreti Salomon për t'i folur në favor të Adonijahut. Mbreti u ngrit për t'i dalë përpara, u përul përpara saj, pastaj u ul në fronin e tij dhe urdhëroi që të vinin një fron tjetër për nënën e mbretit, dhe ajo u ul në të djathtë të tij.
20. Ajo tha: "Kam një kërkesë të vogël, mos ma refuzo". Mbreti iu përgjigj: "Bëje, pra, kërkesën tënde, o nëna ime; unë nuk do ta refuzoj".
21. Atëherë ajo i tha: "Shunamitja Abishag t'i jepet si grua vëllait tënd Adonijah".
22. Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së tij, duke i thënë: "Pse kërkon shunamiten Abishag për Adonijahun? Kërko për të edhe mbretërinë, sepse ai është vëllai im madhor; kërkoje për të, për priftin Abiathar dhe për Joabin, birin e Tserujahut!".
23. Atëherë mbreti Salomon u betua në emër të Zotit, duke thënë: "Perëndia ma bëftë këtë edhe më keq në rast se Adonijahu nuk e ka thënë këtë fjalë duke vënë në rrezik jetën e tij!
24. Prandaj, tani, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka caktuar, ka vendosur të ulem në fronin e atit tim David dhe më ka themeluar një shtëpi ashtu siç kishte premtuar, sot Adonijahu do të ekzekutohet!".
25. Kështu mbreti Salomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, që u hodh mbi Adonijahun dhe ky vdiq.