1 i Mbretërve 18:17-28 Bibla Shqip (ALBB)

17. Me ta parë Elian i tha: "Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?".

18. Elia u përgjigj: "Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve.

19. Prandaj dërgo tani të thërrasin tërë Izraelin pranë meje në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherahut që hanë në tryezën e Jezebelit".

20. Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel.

21. Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë.

22. Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë.

23. Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato.

24. Ju do t'i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!".

25. Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin".

26. Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: "O Baal, na u përgjigj!". Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar.

27. Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: "Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar".

28. Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, derisa të kullonin gjak.

1 i Mbretërve 18