8. Në vitin e njëzet e gjashtë të Asas, mbretit të Judës, Elahu, bir i Baashas, filloi të mbretëroj mbi Izraelin në Tirtsah dhe qëndroi në fron dy vjet.
9. Zimri, shërbëtori i tij, komandant i gjysmës së qerreve të tij, komplotoi kundër tij. Ndërsa ai ndodhej në Tirtsah, duke pirë dhe duke u dehur në shtëpinë e Artsas, prefektit të pallatit të Tirtsahut,
10. Zimri hyri, e goditi dhe e vrau në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij.
11. Kur filloi të mbretërojë, sapo u ul në fron, shkatërroi tërë shtëpinë e Baashas; nuk la të gjallë as edhe një mashkull midis kushërinjve të afërt të tij dhe miqve.
12. Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Baashas, sipas fjalës së Zotit të drejtuar kundër Baashas me anë të profetit Jehu,
13. për shkak të mëkateve të Baashas dhe të mëkateve të birit të tij Elah, që ata vetë kishin kryer dhe që kishin bërë t'i kryente Izraeli, duke nxitur zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tyre.
14. Pjesa tjetër e bëmave të Elahut dhe tërë atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
15. Në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, Zimri mbretëroi shtatë ditë në Tirtsah. Populli kishte fushuar kundër Gibethonit, që u përkiste filistenjve.
16. Kështu populli që kishte ngritur kampin dëgjoi të thuhet: "Zimri ka komplotuar, madje ka vrarë mbretin!". Po atë ditë në kamp tërë Izraeli bëri mbret të Izraelit, Omrin, komandantin e ushtrisë.
17. Pastaj Omri u nis nga Gibethoni dhe rrethoi Tirtsahun.
18. Kur Zimri pa që qyteti ishte pushtuar, u tërhoq në kullën e pallatit mbretëror, i vuri zjarrin pallatit mbretëror që ndodhej mbi të dhe kështu vdiq,
19. për shkak të mëkateve që kishte kryer, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe duke kryer mëkatin që ky kishte bërë duke e nxitur Izraelin të mëkatojë.