16. Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre.
17. Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun, me qëllim që të pengonte këdo që të shkonte ose të vinte nga Asa, mbret i Judës.
18. Atëherë Asa mori tërë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror dhe ua dorëzoi shërbëtorëve të tij; mbreti Asa i dërgoi pastaj te Ben-Hadadi, bir i Tabrimonit, që ishte bir i Hezionit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, për t'i thënë:
19. "Le të ketë aleancë midis teje dhe meje ashtu si ka pasur midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj një dhuratë ari dhe argjendi; shko dhe prishe aleancën tënde me Baasham, mbretin e Izraelit, me qëllim që ai të tërhiqet nga unë".