1 i Mbretërve 14:16-31 Bibla Shqip (ALBB)

16. Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, sepse ai ka kryer mëkate dhe ka bërë që të mëkatojë edhe Izraeli"".

17. Pastaj gruaja e Jeroboamit u ngrit dhe u nis, arriti në Tirtsah; me të arritur në pragun e shtëpisë, fëmija i vdiq.

18. E varrosën dhe tërë Izraeli e qau, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të profetit Ahijah, shërbëtorit të tij.

19. Bëmat e tjera të Jeroboamit, si luftoi dhe si mbretëroi, janë shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.

20. Kohëzgjatja e mbretërisë së Jeroboamit qe njëzet e dy vjet; pastaj atë e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Nadabi.

21. Roboami, bir i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit

22. Ata të Judës bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe me mëkatet që bënë shkaktuan xhelozinë e Zotit më tepër nga ç'kishin bërë etërit e tyre.

23. Edhe ata ndërtuan vende të larta, shtylla dhe Asherimë në të gjitha kodrat e larta dhe poshtë çdo druri të gjelbër.

24. Përveç kësaj, kishte në vend njerëz që jepeshin mbas kurvërisë së shenjtë. Ata merreshin me të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.

25. Në vitin e pestë të mbretit Roboam, mbreti i Egjiptit Shishaku doli kundër Jeruzalemit,

26. dhe mori me vete thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror; mori me vete çdo gjë, duke përfshirë mburojat e arta që Salomoni kishte bërë.

27. Në vend të tyre mbreti Roboam dha urdhër të bëheshin mburoja prej bronzi dhe ua dorëzoi komandantëve të rojeve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror.

28. Sa herë që mbreti hynte në shtëpinë e Zotit, rojet i çonin në sallën e rojeve.

29. Pjesa tjetër e bëmave të Roboamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në Kronikat e mbretërve të Judës?

30. U bë një luftë e pandërprerë midis Roboamit dhe Jeroboamit.

31. Pastaj Roboamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. E ëma quhej Naamaha, ishte amonite. Në vend të tij mbretëroi i biri, Abijami.

1 i Mbretërve 14