1 i Mbretërve 1:10-22 Bibla Shqip (ALBB)

10. Por nuk ftoi profetin Nathan, as Banajahun, as trimat, as Salomonin, vëllanë e tij.

11. Atëherë Nathani i foli Bath-Shebës, nënës së Salomonit, dhe i tha: "Nuk ke dëgjuar që Adonijahu, bir i Hagithit, është bërë mbret, dhe Davidi, zotëria ynë, nuk e di aspak?

12. Prandaj më lejo të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe atë të birit tënd, Salomonit.

13. Shko, hyr te mbreti David dhe i thuaj: "O mbret, o imzot, a nuk i je betuar vallë shërbëtores sate duke thënë: Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim? Pse, pra, u bë mbret Adonijahu?".

14. Pastaj, ndërsa ti do të jesh akoma duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të mbështes fjalët e tua".

15. Kështu Bath-Sheba hyri në dhomën e mbretit. (Mbreti ishte shumë plak dhe shërbehej nga shunamitja, Abishag).

16. Bath-Sheba u përul dhe ra përmbys përpara mbretit. Mbreti i tha: "Çfarë do?".

17. Ajo iu përgjigj: "O imzot, ti i je betuar shërbëtores sate në emër të Zotit, Perëndisë tënd, duke thënë: "Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim".

18. Tani përkundrazi Adonijahu është bërë mbret dhe ti, o mbret, o imzot as nuk e di fare.

19. Ai ka flijuar një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh; ka ftuar tërë bijat e mbretit, priftin Abiathar dhe Joabin, komandantin e ushtrisë, por nuk ka ftuar Salomonin, shërbëtorin tënd.

20. Tani sytë e tërë Izraelit janë kthyer nga ti o mbret, o imzot, që ti t'u tregosh atyre kush do të ulet në fronin e mbretit, zotit tim, mbas tij.

21. Përndryshe ka për të ndodhur që kur mbreti, zotëria im, do të flejë me gjithë etërit e tij, unë dhe biri im Salomon do të trajtohemi si fajtorë".

22. Ndërsa ajo fliste akoma me mbretin, arriti profeti Nathan.

1 i Mbretërve 1