1 i Kronikave 22:9-15 Bibla Shqip (ALBB)

9. Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të çlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t'i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit.

10. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin".

11. Tani, biri im, Zoti qoftë me ty, në mënyrë që ti të përparosh dhe të ndërtosh shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, ashtu si ka thënë ai për ty.

12. Vetëm Zoti të dhëntë dituri dhe zgjuarsi, të besoftë përgjegjësinë mbi Izraelin, për të respektuar ligjin, e Zotit, Perëndisë tënd.

13. Atëherë do të kesh mbarësi, po të jetë se kujdesesh të zbatosh statutet dhe dekretet që Zoti i ka caktuar Moisiut për Izraelin. Ji i fortë dhe trim, mos ki frikë dhe mos u trondit.

14. Ja, unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t'i shtosh edhe më.

15. Përveç kësaj ke me vete shumë punëtorë: gdhendës, punëtorë të gurit dhe të drurit dhe çdo lloj teknikësh për çfarëdo lloj punimi.

1 i Kronikave 22