21. sepse, në të ngrënët, gjithsecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur.
22. A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s'kanë asgjë? Çfarë t'ju them juve? T'ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj.
23. Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën
24. dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
25. Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim''.
26. Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.
27. Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.
28. Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,
29. sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.
30. Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.
31. Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim.
32. Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën.
33. Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njëri-tjetrin.
34. Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t'i rregulloj.